Nga: Elda Spaho Bleta
Reflektimin e parë serioz mbi fuqinë e shkuarjes së informacionit tek njerëzit e duhur, e pata këtu e 12 vjet më parë. Atëherë punoja me kohë të plotë si gazetare dhe, pas kërkimesh të gjata nëpër dokumente të Ministrisë së Arsimit, gjeta një protokoll që më habiti. Ishte firmosur nga përfaqësues qeveritarë të Greqisë dhe Shqipërisë dhe miratonte formimin e një komisioni studiuesish që do të rishihnin dhe rishkruanin historinë mes dy shteteve tona. Më saktë historinë e teksteve shkollore. Në një pikë tjetër, protokolli cilësonte se greqishtja do të futej si gjuhë e dytë e huaj nëpër shkollat tona të mesme. Nuk kam ndërmend të komentoj brendinë e tij. Pas publikimit, habia ishte e madhe sepse historianë e specialistë të shquar të këtyre fushave deklaruan se nuk dinin asgjë për protokollin. Askush nuk i kishte njohur me këtë informacion. Publikun, aq më pak. Ia përcolla këto pyetje vetë Ministrisë së Arsimit dhe përgjigja me gojë ishte kjo: Ne nuk e kemi fshehur protokollin, aty ishte në dosje. Kur e kërkoi dikush, si ti, e nxorrëm!”. Epo më qartë se kaq…
Që atëherë kam parë me vëmendje se shumica e shqiptarëve ka shumë pak informacion në duart e tyre, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Aq më pak kur vjen puna tek informacionet publike, në lidhje me të drejtat e tyre, shërbimet sociale, përfitimet që gëzojnë si shtetas të këtij vendi. Ka një ekuilibër tërësisht të prishur; sistemi i informacionit për të qartësuar mënyrat e pagesës së gjobave, faturave dhe në përgjithësi detyrimeve, është tërësisht i vajisur. Ai punon për mrekulli. Çdo reformë detyruese, çdo aksion, u mbërrin i qartë në vesh shqiptarëve, përmes figurës së duhur publike, gjuhës së duhur (të thjeshtë, por po aq të prerë) dhe kanaleve të duhura të informacionit. Çuditërisht, nuk ndodh kështu me shërbimet që përfitojnë. Edhe nëse planifikohet një fushatë informimi, ajo rrallë u flet atyre me gjuhën e duhur, në kanalet e duhura. Ose zgjat shumë pak. Aq sa dikush, diku, në ato zyrat e ngushta apo të gjera ku vendoset për jetën e shumë shqiptarëve, të ketë gati justifikimin; Epo e botoi vjet gazeta! Nuk e lexove ti? Aty e kishe, ta kishe parë!”. Madje, në këto zyra, tani, njerëzit më në nevojë në Shqipëri, marrin një përgjigje edhe më të sofistikuar, që i trallis krejt: E ke të uebsajti i ministrisë këtë rregulloren. Të gjithë me smartfona jeni, mor burrë! Përdore me mend, jo vetëm për të folur!”.
Po ngul këmbë sidomos te shërbimet sociale sepse, ja ngaqë nuk kanë ndonjë aureolë madhështie me fjalë të mëdha, të denja për fjalime foltoresh, ja ngaqë bëhet fjalë për përfitime “të vogla” shkollimesh a shërbimesh, shumë pak komunikohet për to. Dhe nuk dua të hamendësoj që, mos o Zot, ata që i ligjërojnë këto shërbime, nuk e hapin shumë fjalën me vetëdije, në mënyrë që përfituesit të mos marrin vesh se çfarë u takon me të drejtë… Por ama, kjo është e vërteta. Këta të fundit shumë pak i njohin shërbimet që u takojnë.
E kam parë këtë në dhjetëra takime, anketime, sondazhe ku kam marrë pjesë për ditë të tëra apo kalimthi, vetëm apo me kolegë të tjerë. “Pse ka punonjës për mbrotjen e fëmijëve? Nuk e dija këtë. Ku është? Me çfarë numër telefoni ta marr? Kam parë plot raste në lagjen time”, – kam dëgjuar dhjetëra fëmijë e prindër të thonë. Një sondazh kryer me 8 mijë prej tyre, në 10 rrethe të Shqipërisë, nxorri në dritë këtë qershor se vetëm 14.5 % e kishin denconcuar dhunën, edhe pse mbi 70% thanë që dhuna ishte pjesë e jetës së tyre apo e shokëve të tyre. Pse nuk e denoncojnë? “Nuk dimë ku dhe si ta bëjmë”, ishte përgjigja e sinqertë. Përtej boshllëkut që ka organigrama e bashkive me punonjësit e munguar për mbrojtjen e fëmijëve, edhe kur ata janë aty, shumë pak bëhet për t’u treguar përfituesve, në këtë rast fëmijëve, se ky është një shërbim që u takon me të drejtë. Cfarë kontrasti me fushatën e hollësishme të informimit (dhe me të drejtë), kur policia ndërroi numrin e saj historik të telefonit në 129! Apo kur kryeministri Rama, brenda atmosferës së Vitit të Ri 2016, deklaroi se ishte miratuar një skemë e re për t’u dhënë mundësi familjeve që marrin asistencë sociale për të paguar faturat e prapambetura të energjisë elekrike, në një formë që s’do t’u vriste xhepin. Të dyja këto shërbime të reja përfunduan në veshët e duhur, me mënyrën e duhur.
Nuk besoj që është e nevojshme që vetë kryeministri të flasë për çdo shërbim social. Por ka shumë njerëz të tjerë, në fushën e tyre, që mund ta bëjnë këtë. Media, nga ana tjetër, është shumë e interesuar pasi këto janë çështje që kanë interes publik, nëse gjen edhe një format interesant për t’ua nxjerrë para shqiptarëve. Por fuqinë më të madhe informuese, përtej të gjithave, e kanë ata punonjës që i takojnë ballë për ballë njerëzit, qoftë nëpër zyra, kur këta të fundit shkojnë për të pyetur, qoftë edhe nëpër shtëpi, gjatë vizitave që kanë për detyrë të bëjnë, për hir të raportimeve zyrtare. Do ta ilustroj shumë thjesht: Vitin e shkuar, isha duke trajnuar 25 të rinj nga zona të ndryshme të Shqipërisë për të shkruar artikuj me fakte të vërteta mbi njerëzit në nevojë. Në fillim, rrahëm idetë. U habita kur pashë se, shumica e ideve për të cilat donin të shkruanin dhe të kërkonin rregullime ligjore, ishin tashmë të drejta e shërbime të siguruara me ligj. Por ata as që e dinin këtë dhe as që u kishte shkuar mendjat’i kërkonin nëpër zyrat e pushtetit lokal. Kjo ishte një gjë. Tjetra ishte që askush nga këta zyrtarë nuk kishte marrë mundimin t’u sqaronte që ky ose ai problem zgjidhej me këtë ose atë procedurë. Në një rast, habia ime ishte edhe më e madhe: Njëri prej të rinjve, një djalë i talentuar, nga komuniteti egjiptian, dëshironte të vazhdonte universitetin lokal. Por për familjen e tij ishte e papërballueshme tarifa e rregjistrimit. Ata trajtoheshin me asistencë sociale dhe e dinin shumë saktë që tashmë, kjo kategori, nuk e përfitonte më rregjistrimin falas të fëmijëve në universitet. Këtë ndryshim ua kishin shpjeguar shumë mirë. Ama nuk ua kishin shpjeguar fare pikën tjetër të vendimit përkatës : Që ata e përfitonin tarifën për shkak se ishin pjesë e komunitetit egjiptian. “Cudi, – më tha i riu. – Punonjëset e bashkisë vijnë rregullisht në shtëpinë tonë për të parë gjendjen dhe për të na monitoruar. Ato madje tronditen shumë nga varfëria jonë, qajnë dhe ikin. Këtë gjë nuk na e kanë shpjeguar kurrë, megjithëse ua kemi zënë në gojë”. Kuptohet, pasi e mori vesh, 19-vjeçari bëri menjeherë rregjistrimet dhe sot ndodhet në vitin e dytë të universitetit.
Reformat e shërbimeve sociale do të ngelen letër dhe thjesht letër nëse përfituesit nuk informohen qartë për to, qoftë përmes mediave apo takimeve ballë për ballë. Do të ngelen thjesht propagandë, strategji të mëdha, për të cilat në fund të vitit do raportohen ca shifra optimiste, me siguri. Por nëse ne duam jo mbërritjen e raportimeve, por mbërritjen e vërtetë të shërbimeve, sidomos te njerëzit në nevojë, nëse duam që këta të fundit vërtet të kenë një jetë më të mirë, së paku t’i informojmë. Ashtu siç duhet. Jo nga foltoret. Të paktën jo vetëm prej tyre. Por duke u folur në gjuhë të thjeshtë, përmes mënyrash të thjeshta që shkojnë deri në shtëpitë e tyre dhe i bëjnë pjesë të gjithë kësaj strategjie. Se fundja, e gjithë kjo bëhet për ta. Apo jo?